Policia në angazhim të plotë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Policia në angazhim të plotë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Policia e Kosovës ka vënë në zbatim planin e saj operativ për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së “Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat po mbahen sot në mbarë vendin.

Sipas njoftimit zyrtar, Policia e Kosovës, e bazuar në ligjet në fuqi dhe praktikat e deritanishme, ka hartuar me kohë urdhrin operativ policor dhe ka realizuar të gjitha planifikimet e nevojshme për këtë proces zgjedhor. Në kuadër të këtij plani, është angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë, kryesisht nga njësitë e rendit publik, ndërsa sipas nevojës janë përfshirë edhe profile të tjera policore.

Zyrtarët policorë kanë filluar angazhimin me orar 12-orësh nga ora 03:00 e mëngjesit, duke përfshirë hapjen e dhomave komanduese, përcjelljen e materialit sensitiv zgjedhor nga depot komunale drejt qendrave të votimit, si dhe ofrimin e sigurisë gjatë gjithë ditës së votimit.

Plani operativ policor përfshin katër faza: periudhën parazgjedhore përgatitore, angazhimin gjatë fushatës zgjedhore, garantimin e sigurisë në ditën e zgjedhjeve (dita Z) dhe fazën paszgjedhore, e cila përfshin transportin dhe sigurimin e materialit zgjedhor deri në përfundim të procesit. Dy fazat e para tashmë janë realizuar, ndërsa aktualisht Policia ndodhet në zbatimin e fazës së tretë, si më kyçja e këtij procesi.

Qëllimi kryesor i planit operativ është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrave të numërimit, si dhe përcjellja dhe mbrojtja e materialit sensitiv zgjedhor. Po ashtu, Policia e Kosovës është e përkushtuar në inicimin dhe procedimin e çdo vepre penale që cenon të drejtën e votimit, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.

Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), janë caktuar hetues policorë në drejtoritë rajonale, koordinatorë me KQZ-në, si dhe janë dhënë udhëzime të qarta për detyrat dhe përgjegjësitë ligjore të zyrtarëve policorë gjatë procesit zgjedhor.

Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për të vepruar në mënyrë profesionale dhe transparente, duke ftuar njëkohësisht qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.

Rastet mund të raportohen përmes numrave emergjentë 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike info@kosovopolice.com , si dhe në stacionet më të afërta policore.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë